ENGJËLL HAXHIKADRIJA
Violinist
Engjëll Haxhikadrija, i lindur në Mitrovicë më 08.01.2003, hodhi hapat e parë në muzikë në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë, ku përfundoi shkollën fillore dhe të mesme. Tani vazhdon studimet në Universitetin e Prishtinës, dega e Arteve Muzikore, me specializim në violinë. Veçantia e tij si violinist qëndron në faktin se ai luan violinën në krahun e kundërt, një ndër të rrallët në të gjithë botën, i vetmi në Kosovë dhe më gjerë. Për shkak të një problemi me dorën e majtë që nga lindja, instrumenti i vetëm që ai mund të luante ishte violina në anën e kundërt (anën e majtë). Profesorët ishin skeptikë në fillim, por së shpejti vërejtën talentin e tij. Sukseset e tij janë të shumta, duke përfshirë fitimin e shumë çmimeve të ndryshme, ndër të cilat çmimet kryesore janë vendi i parë në konkursin Ars Kosova, si dhe shpallja si talenti më premtues i të gjithë garës, fitues i konkursit republikan në kategorinë e muzikës me një rezultat maksimal prej 99.99.
UNIK UKSHINI
Pianist
Pasioni nuk njeh barriera apo kufij. Ky shembull reflektohet më së miri te këngëtari dhe instrumentisti nga Ferizaj, Unik Ukshini. Megjithëse i verbër, asgjë nuk e pengon Unikun të dashurojë muzikën, pianon, si dhe performancën, të cilat ai i realizon në një mënyrë unike dhe të mrekullueshme.
Çdokush që e njeh Unikun është i mahnitur, jo vetëm në shkollën e muzikës “Çesk Zadeja” në Ferizaj, ku përfundoi arsimin e mesëm, por edhe në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku Uniku është në prag të diplomimit në Pedagogji Muzikore.
Një vlerë unike, një thesar kulturor, një personalitet i rrallë ndër ne, është Unik Ukshini.
BLERINA SHALARI
Pianiste / Kompozitore
Blerina Shalari përfundoi arsimin 8-vjeçar në “Institutin për nxënësit që nuk shohin”. Më pas, nisi studimet për piano në moshën 9-vjeçare dhe u diplomua në shkollën artistike “Jordan Misja” nën drejtimin e pianos nga pedagogia Ingrid Pulizo. Gjatë viteve 2002 – 2006, përfundoi studimet e larta në kompozim në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Blerina ka marrë pjesë në shumë festivale brenda dhe jashtë Shqipërisë, ku ka fituar çmime të shumta, si Kënga Magjike, Top Fest, etj.
ALDA SHALARI
Pianiste
Alda Shalari përfundoi arsimin tetëvjeçar në Institutin për të Verbërit në Tiranë, ku nisi mësimet e saj të para në piano. Në vitin 2013, u diplomua me rezultate të shkëlqyera në degën e Muzikologjisë, në kuadër të studimeve master shkencor në Universitetin “Jordan Misja”. Gjatë viteve 1998-1999, mori pjesë si këngëtare në festivalet e fëmijëve, edicionet 35 dhe 36, në Tiranë, ku fitoi çmimet e dyta dhe të treta. Ka marrë pjesë në disa koncerte si këngëtare në aktivitete të organizuara dhe ka qenë pjesëmarrëse në 8 edicione të koncertit kombëtar “Art përtej Shikimit”. Në korrik të vitit 2014, fitoi çmimin e parë në prozë në konkursin letrar “Me sytë e shpirtit” të organizuar nga Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë. Aktualisht, është redaktore e muzikës në RTSH.
TERAPIA ME MUZIKË
Qendra Burimore “Pëparimi” në Prishtinë
Qendra Burimore “Pëparimi” në Prishtinë është një shkollë e veçantë ku ndjekin mësimet fëmijët me nevoja të veçanta. Muzika ka qenë gjithmonë një mjet për realizimin e aktiviteteve të ndryshme, por tash e tre vite ky qendër gjithashtu ka një kabinet muzikor, me instrumentet e nevojshme, ku aplikohet edhe terapia me muzikë nga mësuesja Blerina Kallaba.
Së bashku me nxënësit, përdorim terapinë muzikore në mënyrë individuale dhe në grup. Në varësi të nevojës, përdorim instrumente të ndryshme dhe video muzikore të ndryshme. Në “Art Without Limit International Film Festival” do të performojmë me këngët: “We are the World” – ku fëmijët performojnë me gjuhën e shenjave; – “Radetsky March” nga Johan Strauss – ekzekutim me instrumente goditëse; dhe me vallëzim modern përmes këngës “We Will Rock You”.